Sunday, September 8, 2024
HomeKryesoretU shty gjykimi për shkak të listës së gjerë me prova, Merko:...

U shty gjykimi për shkak të listës së gjerë me prova, Merko: E kisha të vështirë t’i sillja me Audi gjithë ato, e lëre më në dorë

Me Audi 6 luksoz kryetari i Strugës Ramiz Merko ka ardhur sot në Gjykatën Themelore në Strugë në seancën në të cilën akuzohet për keqpërdorime gjatë prokurimit të veturës zyrtare. Por seanca u shty pasi mbrojtja dorëzoi dy dosje të mëdha provash, të cilat Merko nga banka e të akuzuarit tha se ishte e vështirë t’i sillte me Audi dhe aq më e vështirë në dorë, për të cilat gjyqtarja Nadica Mitreska i tha se është mirë që ka sens humori, por e paralajmëroi se nuk është në një shfaqje televizive, por në një sallë gjyqi, transmeton Portalb.mk.

Mirëpo, Merko nuk ishte i disponuar për deklarata dhe iu shmang kamerave.

Aktakuza ndaj Merkos u ngrit 10 muaj pasi SHBA-ja e futi në listën e zezë qershorin e vitit 2023 për shkak të korrupsionit dhe ndërhyrjeve në proceset gjyqësore.

Pa miratimin paraprak të Planit Vjetor për Prokurim Publik nga Këshilli i Komunës dhe në kushtet kur komuna kishte një llogari të bllokuar, ai ka blerë 4 automjete, përfshirë një Audio prej gati 67 mijë euro.

Seanca e parë, e cila duhej të mbahej më 26 prill, u shty për sot me kërkesë të mbrojtjes për të këqyrur provat. Pas shtyrjes së re të sotme, gjyqtarja Mitreska tha se pret që gjykimi të përfundojë brenda një afati të arsyeshëm.

“Seanca u shty për shkak se mbrojtja dorëzoi një listë të gjerë të provave që gjykata duhet t’i shqyrtojë, për të marrë dokumente të caktuara nga institucionet kompetente në shtet. Është normale që gjykata dhe prokuroria të njihen me këto prova. sy,imi është që të mos vonohet dhe për këtë arsye gjykata do të mundohet që sa më parë t’i sigurojë dokumentet që i nevojiten mbrojtjes”, tha gjyqtarja Nadica Mitreska.

Mbrojtësi i Merkos, avokati Igor Petkovski, tha se në gjykatë janë dorëzuar 68 prova verbale dhe materiale.

Me dorëzimin e kësaj liste të provave, mbrojtja do të tentojë të hedhë poshtë tezën e prokurorisë publike se i akuzuari Ramiz Merko ka kryer një lloj vepre penale, thotë Petkovski.

Kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, brenda dhjetë ditësh është paraqitur dy herë në sallën e gjyqit. Më 22 maj filloi seanca kryesore për rastin në të cilin akuzohet për caktimin e kundërligjshëm të ushtruesit të detyrës, drejtor në shkollën në Llabunishtë.

Mbrojtja e tij kërkoi bashkimin e kësaj çështjeje me pjesën tjetër të çështjeve në një proces gjyqësor, pasi prokuroria ngriti dy akuza të tjera për emërimin e paligjshëm të drejtorëve.

Me këtë Merko ka të rezervuara datat e gjykimit në gjykatën e Strugës më 20 qershor dhe 8 korrik.

RELATED ARTICLES

Lajmet e fundit

Recent Comments