Tuesday, July 23, 2024
HomeMaqedoni“Legjitimiteti”, Maksuti: BDI ka pasur kohë 22 vite për ta rregulluar këtë...

“Legjitimiteti”, Maksuti: BDI ka pasur kohë 22 vite për ta rregulluar këtë çështje, por nuk ka bërë asgjë

Nuk qëndron pretendimi i BDI-së se Fronti Evropian e mban legjitimitetin te shqiptarët për të bashkëqeverisur me VMRO-DPMNE-në. Sipas profesorit Mersim Maksuti Fronti është multietnik dhe për këtë, nuk mund të konstatohet nëse shqiptarët kanë votuar më shumë Frontin se koalicionin VLEN.

“Me vetë faktin se opozita shqiptare ka fituar mbi 107.000 vota dhe në anën tjetër kemi një front multietnik është çështje shumë e diskutueshme se ku gjendet realisht legjitimiteti te shqiptarët. A është te opozita, apo është te Fronti Evropian në krye me BDI-në. Madje, dua të theksoj se prej vitit 2016-të e këndej, populli shqiptar, votuesi shqiptar, me shumicë ka qenë opozitar, madje dhe me frymë opozitare”, u shpreh Mersim Maksuti, profesor.

Sipas Maksutit, BDI ka pasur kohë 22 vite për ta rregulluar këtë çështje, por nuk ka bërë asgjë.

“Në anën tjetër, BDI-ja për 22 vite që ka qenë në pushtet asgjë nuk ka bërë që të rregullohet, që të formalizohet me akt juridik kjo çështje, që vjen në shprehje parimi i demokracisë konsensuale. Po të flasim në anën tjetër, realisht, ky vend e ka të imponuar, domosdo të qeveriset mbi bazën e konsesualitetit të shqiptarëve dhe maqedonasve, edhe me rastin e formimit të qeverisë. Diçka është e pashmangshme, situata ta imponon, jo se këtë çështje e kërkon BDI-ja, por është vetë faji i BDI-së, 22 vjet nuk ka bërë asgjë”, deklaroi Mersim Maksuti, profesor.

Në ndërkohë, derisa lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski pritet që këto ditë ta marrë mandatin për formimin e qeverisë bashkë me koalicionin VLEN dhe ZNAM, liderët e koalicionit Fronti Evropian, një ditë më parë në Tetovë nënshkruan Deklaratën Politike mbi legjitimitetin etnik që buron nga zgjedhjet.

Fronti, me të njëjtën pretendon që ata duhet të jenë pjesë e qeverisë së ardhme, pasi që janë përfaqësuesit legjitim të shqiptarëve, në bazë të rezultatit zgjedhor. Megjithatë, nga VLEN këtë e kontestojnë pasi sipas tyre, Fronti Evropian nuk mund të pretendojë për legjitimitet te shqiptarët, kur brenda koalicionit kanë edhe parti të komuniteteve të tjera. /Alsat.mk

RELATED ARTICLES

Lajmet e fundit

Recent Comments