Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se më 15 dhe 16 prill 2024, në Prishtinë do të mbahet Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë .
“Prishtina do t’i hapë dyert sërish për pjesëmarrës nga mbarë bota me qëllim të bashkëpunimit për siguri e paqe të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”, ka thënë ajo përmes një videoje të publikuar në faqen e saj në Facebook.
Në këtë forum do të jenë të pranishëm 500 pjesëmarrës nga 33 shtete.
“Në edicionin e parë të Forumit mirëpritëm liderë, akademikë, eskpertë, kampionë të Agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë nga e mbarë bota për të trajtuar çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë dhe mirëqënien e grave në mbarë botën. Nga qëndrimi kundër dhunës seksuale gjatë luftës deri tek çështjet e sigurisë klimatike gratë janë heroina të cilat bashkojnë përherë inteligjencën dhe integritetin në shërbim të paqes dhe sigurisë”, shtoi Osmani.