Monday, July 15, 2024
HomeMaqedoniA po e përgatit Bujar Osmani terrenin për të ndërruar fanellën?

A po e përgatit Bujar Osmani terrenin për të ndërruar fanellën?

Tashmë një periudhë të gjatë nga koalicioni “Vlen” paralajmërojnë se janë në pritje të momentit të duhur që disa deputetë të “Frontit Evropian” t’i bashkohen koalicionit qeverisës. Se diçka po ndodh me kohezionin në koalicionin e BDI-së e konfirmon edhe votimi për riorganizimin e resorëve qeveritarë.

Atëherë Ziadin Sela deklaroi se nuk kishte dashur të votojë për ligjin e propozuar nga VMRO-DPMNE-ja dhe se e ruan autonominë për të gjitha vendimet e ardhshme dhe hapat politikë brenda koalicionit. Me fjalë të tjera, bëri të ditur se nuk duhet të pritet sjellje unanime në “Frontin Evropian” në të ardhmen.

Ndërkohë në koalicionin “Vlen” kanë telashe të ëmbla me ndarjen e institucioneve brenda koalicionit të tyre. Në opinion dalin me turp disa emra për resorë të caktuar, megjithatë, enigma më e madhe mbetet se kush do ta udhëheq Ministrinë e sapoformuar të Çështjeve Evropiane.

Jozyrtarisht, ky pozicion, në kuadër të ndarjes së brendshme, i përket Alternativës. Mirëpo, nga burime të larta partiake kuptojmë se taktizimi për këtë pozicion vjen për shkak të një rrethane që mund të tingëllojë si bombë politike. Kinse, ministri në largim i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka treguar gatishmëri për të ndërruar fanellën dhe të kalojë në koalicionin “Vlen” dhe në Qeverinë e re të jetë ministër i Çështjeve Evropiane. Kinse, për këtë plan të tij tashmë ka lobuar tek njerëzit me ndikim nga rrethi i ngushtë i Albin Kurtit në Kosovë dhe ka tentuar të miratojë që kabineti i kryeministrit shqiptar Edi Rama të ketë qëndrim pozitiv ndaj kësaj ideje. Ka pritur që në margjinat e takimeve zyrtare të presidentëve të Shqipërisë dhe Kosovës, Bajram Begaj dhe Vjosa Osmani me Kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, ta shtrojë pyetjen.

Të jepen garanci se Bujar Osmani nuk ofrohet si ministër me urdhër të Ali Ahmetit për të krijuar perceptimin se edhe BDI-ja është në koalicionin qeveritar, por sinqerisht dëshiron me përvojën e tij t’i ndihmojë koalicionit “Vlen” në angazhimet e tyre programore për të afruar Maqedoninë e Veriut drejt BE-së. Sido që të jetë, disa ditët në vijim paralajmërojnë zhvillime interesante./infoshqip.com/

RELATED ARTICLES

Lajmet e fundit