Një zjarr i madh ka shpërthyer sot në fshatin Jazhincë, duke detyruar autoritetet të mbyllin rrugën drejt vendkalimit kufitar me Kosovën.
Në vendngjarje ndodhen Drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza, Muhamed Ali, komandanti i Brigadës, Avni Ameti, dhe udhëheqësja e QMK Tetovë, Arlinda Muharemi, të cilët së bashku me ekipet zjarrfikëse po koordinojnë përpjekjet për të ndaluar përhapjen e flakëve.
Të gjitha ekipet zjarrfikëse nga Tetova, së bashku me dy automjete të specializuara të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, po punojnë në terren për të mbrojtur pronat e qytetarëve. Për ndërhyrje më efikase janë nisur edhe avioni Air Tractor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim si dhe një helikopter i MPB-së.
Autoritetet apelojnë qytetarët që të shmangin zonën deri në një njoftim të mëtejshëm, ndërsa rruga drejt kufirit mbetet e mbyllur.

