Friday, June 14, 2024
HomeBotaZelensky në Tiranë më 28-29 shkurt, Rama: Shqipëria qëndron krah për krah...

Zelensky në Tiranë më 28-29 shkurt, Rama: Shqipëria qëndron krah për krah me Ukrainën

“Ukraina, një krim lufte”, ishte ekspozita me dëshmi pamore e agresionit rus e çelur në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Kryeministri të Shqipërisë.

Për kreun e qeverisë, kjo ekspozitë vjen në vigjilje të vizitës së Presidentit ukrainas në Tiranë Volodymyr Zelensky, i cili do jetë pjesë e samitit të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor 28-29 Shkurt.

“Vizitë e cila është nga njëra anë një vizitë bilaterale, por nga ana tjetër është edhe një vizitë, e cila do të kulmojë me një Samit të vendeve të Evropës Juglindore për Ukrainën ku do të kemi të ftuar një numër të konsiderueshëm liderësh të kësaj zone të Evropës dhe ku presidenti Zelensky natyrisht është bashkë me ne si bashkë-organizator së bashku me mua, për këtë aktivitet që në kontekstin e sotëm ka, sipas meje, një rëndësi të posaçme”, është shprehur kryeministri Edi Rama.

Edhe njëherë Rama ripërsëriti mbështetjen dhe solidaritetin e Shqipërisë ndaj popullit ukrainas.

“Siç dihet botërisht, Shqipëria qëndron krah për krah me Ukrainën, së bashku me të gjithë aleancën e vendeve që kanë zgjedhur të shohin nga e ardhmja dhe të ndërtojnë së bashku një të ardhme ku çdo vend dhe çdo popull dhe çdo individ ka të drejtën e lirisë, ka të drejtën e të jetuarit si i barabartë nën ombrellën e ligjit dhe të Kushtetutës demokratike dhe ndërkohë që agresioni i Rusisë mbi Ukrainën është si përpjekja për të imponuar të drejtën për të jetuar në të shkuarën dhe është një përplasje mes, në fakt, dy botësh”.

Ekspozita e veçantë me 50 fotografi është pjesë e librit “Ukraina, një krim lufte”, një dokument historik i vitit të parë të agresionit rus ndaj ukrainasve me histori reale të të mbijetuarve dhe dëshmitarëve të mizorive./tvklan

RELATED ARTICLES

Lajmet e fundit

Recent Comments