Rreth 500 mijë metra kub dru në vend priten ilegalisht dhe përfundojnë në tregun e zi, tregojnë të dhënat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO). Është shqetësues fakti që këto shifra janë shumë më të larta se të dhënat formale, thekson Sasho Petrovski, kryetar i shoqatës “Reford”. Nga kjo shoqatë vlerësojnë se prerja e pyjeve në Maqedoni është një fenomen që është rezultat i korrupsionit, mungesës së kapaciteteve institucionale dhe zbrazëtirave në legjislacionin ligjor. Të dhënat formale të institucioneve janë nga 25.000 deri në 30.000 metër kub në vit. Dhe ato mund të gjenden në treguesit statistikorë, përmes informacionit publik nga institucionet kompetente. Megjithatë, disa hulumtime që krahasojnë nevojat për ngrohje dhe konsumin zyrtar, tregojnë se në treg kemi rreth 500.000 metër kub dru ilegale në vit, shton Petrovski.
Nën supozimin se 500 mijë metra kub dru në vit sigurohen ilegalisht, atëherë del se nga prerja ilegale fitohen mbi 25 milionë euro në vit, ose në 20 vitet e fundit ky biznes ilegal kap vlerën e gati dy miliardë eurove, shkruan gazeta KOHA.
Përskaj dëmit të bërë, po zvogëlohet edhe funksioni i dobisë së pyllit, ekosistemi trazohet përgjithmonë dhe funksioni i tij mbrojtës zvogëlohet, si mbrojtja e tokës dhe ndërtesave nga erozioni, përrenjtë dhe përmbytjet. Njëherësh të ashtuquajturat “mushkëritë e tokës” vuajnë, duke krijuar një plagë që është e vështirë për t’u shëruar dhe po shërohet ngadalë. Profesori universitar Ivan Minçev nga Fakulteti i Pylltarisë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, thotë se çdo prerje e pakontrolluar e pyjeve mund t’i rrezikojë edhe zonat e banuara. Ai theksoi edhe shembullin e pyllëzimit të Vodnos menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore për të mbrojtur qytetin e Shkupit nga vërshimet, pastaj nga erozioni i tokës, ndërtesave dhe vendbanimeve në afërsi.
Sipas hulumtimit të Refordit, shkatërrimi i pyjeve të Maqedonisë është rezultat i prerjeve ilegale, një biznes që është fitimprurës dhe i lidhur me korrupsionin, ndërsa disa nga të punësuarit në institucione janë gjithashtu të korruptuar dhe ndihmojnë organizatorët dhe hajdutët.
Sasho Petrovski, kryetar i shoqatës Reford shton se sipas të dhënave të tyre, Policia Pyjore në dy vitet e fundit ka ngritur mbi 900 kallëzime penale për prerje të paligjshme, ndërsa numri i rasteve të zgjidhura është “zero”. Ambientalistët thonë se reduktimi i vazhdueshëm i fondit të pyjeve është një nga problemet më të mëdha mjedisore në botë dhe rajon, me një ndikim serioz negativ në klimën, shëndetin e njerëzve, popullatat e kafshëve dhe ekonominë. Prerjet e pakontrolluara janë kërcënimi më i madh për pyjet, duke reduktuar popullsinë e kafshëve të egra dhe duke kontribuar në fatkeqësitë natyrore më të shpeshta, përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut.
Në Maqedoni ekzistojnë dy forma/modele themelore të krimit që lidhen me prerjet ilegale – prerjet ilegale në shkallë të vogël, e njohur si “vjedhje mbijetese”. Forma tjetër janë prerjet e paligjshme që kryhen nga grupe të organizuara kriminale, e cila zakonisht shoqërohet me një numër të madh krimesh të ndërlidhura, tregon edhe hulumtimi i organizatës joqeveritare “Eurotink”. Nga “Eurotink” thonë se kushtet e këqija socio-ekonomike i detyrojnë qytetarët për shkak të varfërisë që të vjedhin dru zjarri për përdorim personal. (koha.mk)