Kandidati i koalicionit VLEN për Komunën e Çairit, Izet Mexhiti, ka zhvilluar një takim me banorët e lagjes Jahja Pasha, ku ka prezantuar projektet e realizuara deri më tani dhe planet për zhvillimin e mëtejshëm të komunës. Në një atmosferë të ngrohtë me qytetarët, Mexhiti theksoi investimet në infrastrukturë, shkolla, kanalizime dhe parkingje, duke paralajmëruar edhe hapa të rinj për ta bërë Çairin më funksional dhe modern.
Në vazhdim ua sjellim postimin e plotë në faqen zyrtare të Izet Mexhitit, në rrjetin social Facebook:
Në një atmosferë vere, që mbante freskinë e mbrëmjes, u takuam me banorët e lagjes Jahja Pasha. Disa të ulur, shumë të tjerë në këmbë, të gjithë të vëmendshëm e të interesuar, biseduam hapur për punët e realizuara dhe për planet që na presin.
Folëm për investimet që tashmë kanë përmirësuar jetën e përditshme: ndërtimin dhe asfaltimin e rrugëve, restaurimin e shkollave, rregullimin e kanalizimeve dhe vendosjen e rrjetit atmosferik, si dhe hapjen e shumë parkingjeve. Projekte këto që kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetesës së banorëve.
Diskutuam gjithashtu për hapat e ardhshëm, me projekte që synojnë zhvillimin urban, krijimin e kushteve më të mira infrastrukturore dhe ndërtimin e një lagjeje më funksionale e më moderne, jo vetëm për banorët e Jahja Pashës, por edhe për gjithë Çairin.
Gjithashtu edhe sonte dëgjuam me kujdes kërkesat e banorëve, të cilat do të marrin zgjidhje, ashtu siç kemi përmbushur edhe kërkesat e lagjeve të tjera.
Ky takim ishte pjesë e lidhjes sonë të vazhdueshme me qytetarët, të cilët me pyetjet, sugjerimet dhe shqetësimet e tyre, na japin drejtim për të ecur përpara.

