Thursday, September 19, 2024
HomeLajmeKomisioni për Zgjedhje dhe Emërime zhbllokoi procedurën për zgjedhjen e anëtarit të...

Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime zhbllokoi procedurën për zgjedhjen e anëtarit të KSHZ-së, propozohet Abdush Demiri

“Kuvendit për anëtar të KSHZ-së do t’ia propozojmë Abdush Demirin”, tha Marija Georgievska, kryetare e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime.

Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime zhbllokoi më në fund procedurën për zgjedhjen e anëtarit të KSHZ-së, pas tërheqjes së propozimit të Partisë Demokratike Evropiane, Zulfi Adili, shkruan Alsat.

Plenumi tani do të duhet të votojë për zgjedhjen e Abdush Demirit i cili është kandidat i mbështetur nga Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike.

Në komision mbështetja erdhi nga 10 deputetë që votuan “për” dhe vetëm një “i përmbajtur”. Opozita shqiptare pret këtë mbështetje edhe në seancë plenare meqë anëtarët e KSHZ-së duhet të votohen me 2/3 e votave.

Deri tani, ata kishin akuzuar drejtpërdrejt BDI-në dhe ish kreun e Kuvendit Talat Xhaferi për bllokimin e procedurës.

“Më në fund erdhëm deri te ky moment kur po zbatohet ligji që vendi vakant në KSHZ të plotësohet me anëtar të opozitës shqiptare. Është shumë me rëndësi që të kemi një KSHZ të kompletuar dhe si rrjedhojë të kemi zgjedhje të drejta dhe demokratike. Ne si koalicion kërkojmë nga të gjitha grupet parlamentare që të përkrahin kandidatin tonë për anëtar në KSHZ dhe kërkojmë nga kryetari i Kuvendit që të thirr seancë plenare sa më shpejt dhe të vendosë pikë të rendit të ditës zgjedhjen e anëtarit të KSHZ-së. Ne nuk duhet aspak ta mendojmë se a do ta votojnë ose jo. Ata e kanë për detyrim që ta votojnë anëtarin e KSHZ-së”, theksoi Safije Shahini Sadiku, koordinarore e grupit parlamentar të LEN.

Nga kabineti i kryetarit të Kuvendit Jovan Mitrevski u njoftua që në koordinimin e zakonshëm të së hënës të vendoset se kur zgjedhja e anëtarit të KSHZ-së do të jetë në rend dite. / Alsat.mk

RELATED ARTICLES

Lajmet e fundit

Recent Comments