Sunday, May 19, 2024
HomeMaqedoniIzet Mexhiti nga Tetova: Ali Ahmeti të braktisën shokët e luftës sepse...

Izet Mexhiti nga Tetova: Ali Ahmeti të braktisën shokët e luftës sepse heshte kur u vra Hariun Aliu, për “Enciklopedinë”, për “Shkupi 2014”, për “Lagjen e Trimave”, “Monstra” e “Alfa”…

Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti sonte nga tubimi qendror i opozitës shqiptare në Tetovës ka dhënë disa porosi duke theksuar se ka kaluar koha e politikanëve të vjetër dhe se ka ardhur koha e një politikbërjes së re në Maqedoninë e Veriut.

Mexhiti sonte nga Tetova adresoi disa pyetje tek Ahmeti që sipas tij nuk i është përgjigjur asnjëherë gjatë karierës së tij politike.

Në vazhdim ju sjellim fjalimin e plotë të Mexhitit:

Të nderuara familje të dëshmorëve, invalidë të luftës, ushtarë të ushtrive çlirimtare,
Shumë e nderuar diaspore shqiptare, nismëtare e çdo projekti kombëtar,

Po ju sjell këtu të fala të përzemërta nga Çairi e i gjithë Shkupi, ku ma dhanë porosinë që tiu them: Në këtë betejë jemi bashkë, të gjithë, shqiptarët e Tetovës, Gostivarit, Kumanovës, Shkupit, Strugës, Ohrit, Kërçovës, Manastirit, Krushevës, Prespës, dhe sot me besim të plotë po ju them: DO TIA DALIM, NDRYSHIMI VEÇMË KA FILLUAR DHE NUK KA FORCË QË E NDAL!

Të nderuar të pranishëm,

Fushata, mes tjerash, është edhe mundësi për të reflektuar. Nga foltoret thuhet e premtohen shumë gjëra. Prandaj, sonte, nga kjo foltore, do ta pyes Ali Ahmetin: a e ke pyetur ndonjëherë veten se përse të braktisën nga partia njerëzit e tu më të mirë dhe bashkëpunëtorët më lojalë, duke të lënë të vetmuar me Artanin dhe idetë destruktive të tij?! A e ke pyetur ndonjëherë veten se çfarë ndodhi me BDI-në, atë BDI të cilën si ide kombëtare fisnikëruese, emancipuese dhe progresive e nise në vitin 2002, dhe të gjithë ne t’u bashkëngjitëm dhe të mbështetëm me gjithë forcën tonë? Natyrisht që jo, sepse je i rrethuar nga fotografitë e rrejshme që ti krijon Artani dhe bindjet që ti ndërton se gjithçka rreth teje është perfekte! E po ja disa përgjigje publike mu nga sheshi i Tetovës nga unë, njëri ndër ata që dikur ishte ndër bashkëpunëtort e tu më besnikë:

Shokët nisën të të braktisin Ali Ahmeti, kur ia dorëzove lojën Nikolla Gruevskit dhe nga ndikimi i tij, me kalimin e kohës u bëre i njejtë si ai – refuzove mendimin ndryshe, përjashtove ata që nuk lejonin shkeljen e parimeve për pushtet, eliminove ata që të thoshin se gjërat nuk janë duke shkuar në drejtim të duhur;
Bashkëpunëtorët nisën të të braktisin kur e bëre lëshimin e parë dhe i tregove Gruevskit se mund të shkelë mbi dinjitetin tënd – ia dorëzove në tavolinë bashkimin e Kërçovës, ndërsa bashkëpunëtorët e tu që kishin luftuar për arritjen e këtij bashkimi i le në lloç;
Bashkëpunëtorët, i nderuar Ali Ahmeti, vazhduan të të braktisin kur nuk lëshove zë për Enciklopedinë e Akademisë së arteve që fyente popullin që përfaqësoje ti në qeveri– pra, shqiptarët, dhe ashtu në heshtje vazhdove qeverisjen me Gruevskin sepse qëllimi jot ishte pushteti, jo dinjiteti i shqiptarëve;
Bashkëpunëtorët të braktisën kur u vra Harun Aliu e ti, si lider i partisë në qeveri, nuk pate përgjigje se çfarë ndodhi, kush e vrau, përse e vrau!
Bashkëpunëtorët të braktisën edhe kur ti personalisht i bindje se “Shkupi 2014” nuk është projekt monoetnik dhe as fyes për shqiptarët e Shkupit dhe të Maqedonisë dhe se nuk ka asgjë problematike në ortodoksimin dhe sllavizimin e identitetit të Shkupit;
Bashkëpunëtorët, Ali Ahmeti, të braktisën sepse, duke qenë në pushtet dhe në qeveri, lejove të vriten djemtë shqiptarë në Lagjen e Trimave në Kumanovë, lejove të montohet rasti “Monstra” e “Alfa”, lejove të mbushen burgjet me shqiptarë të pafajshëm dhe si përfaqësues i tyre në institucione KURRË nuk pate asnjë përgjigje konkrete përse u burgosën dhe u dënuan ata;
Bashkëpunëtorët të braktisën edhe kur me bindje u flisje se luani i VMRO-së ka qenë simbol i familjeve shqiptare vetëm sepse ti personalisht ishte marrë vesh me Nikolla Gruevskin që ta votosh stemën e shtetit për ruajtje të pushtetit!
Këto ngjarje pra, i nderuar Ali Ahmeti, janë vetëm disa shembuj se si duket qeverisja jote me VMRO-në e Nikolla Gruevskit, politikanin për të cilin akoma publikisht thurr lavde dhe deklaron se ka qenë udhëheqës i mirë e i zoti! Sa i heshtur, servil, inferior dhe i padëgjuar ke qenë ndaj Nikollës, Mijallkovit, dhe shokëve të tyre flasin këto ngjarje që t’i rikujtova sot. Prandaj këto ditë, kur të dëgjoj si kërcënohesh e shet trimëri nëpër foltore, nuk brengosem fare sepse e di se këto i bën vetëm që të mbledhësh vota e votat të duhen që të rehatohesh përsëri në pushtet. Kjo pra, është fotografia e qeverisjes së Ali Ahmetit me Nikolla Gruevskin. Kështu duket kur qeveris BDI-ja me VMRO-në e Nikolla Gruevskit. Prandaj, mos u mashtroni nga fjalët!

Kjo është qeverisja e të kaluarës. Ndërsa ne sot jemi këtu që të premtojmë ndërtimin e qeverisjes së të ardhmes, qeverisjes së dinjitetshme, parimore, konceptuale. Qeverisjes e cila nuk të vret natën e të madhëron ditën. Qeverisjes e cila nuk të shet natën e të mbron ditën. Sot po vendosim themelet e frymës së re për secilin të ri e të re që dëshiron të jetojë në Maqedoninë me të drejta të plota e të barabarta të cilat i garantojnë institucionet dhe nuk i dikton partia!

Politikanët e vjetër i takojnë të shkuarës. Maqedonia sot po hap dyert për politikanët e rinj. Për të ardhmen që VLEN.

RELATED ARTICLES

Lajmet e fundit

Recent Comments