Avokati Asmir Alispahiq, Bekim Haxhiu, pronar i “Besa Trans” dhe Hajredin Muça, përfaqësues juridik i “Besa Trans”, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk
Në Gjykatën Penale të Shkupit sot u shpall aktgjykimi për rastin “Besa Trans”, autobusi i të cilit në orët e para të 23 nëntorit të vitit 2021, duke ardhur nga Stambolli për në Shkup, në autostradën “Struma” të Bullgarisë u aksidentua dhe më pas u dogj, ku si pasojë humbën jetën 45 persona, ndërkaq 7 të tjerë u lënduan. Pronari i saj, Bekim Haxhiu u dënua me 20 muaj burgim ndërkaq kompania u detyrua të japë 800.000 denarë dëmshpërblim, shkruan Portalb.mk.
Autobusi, sipas Prokurorisë ka dalë nga nga territori i RMV-së me certifikatë licence të falsifikuar dhe për këtë është përgjegjës kompania si subjekt juridik dhe pronari i saj Bekim Haxhiu, shkruan Portalb.mk.
Në fjalët përfundimtare, përfaqësuesi i akuzës, Vlladimir Milloshevski, tha se autobusi i cili është aksidentuar në Bullgari e ka kaluar kufirin me licencë të përgjithshme, në vend që me certifikatë licence të posaçme, ashtu siç parashihet me ligj.
“Sipas provave, autobusi e ka lëshuar territorin e RMV-së duke treguar në kufi licencë të përgjithshme, e cila ka të bëjë vetëm me funksionimin e subjektit”, tha prokurori, duke sqaruar se për transport ndërkombëtar nevojitet certifikatë licence për çdo autobus.
Pala mbrojtëse, mohon se Bekim Haxhiu ka bërë falsifikim të certifikatës së licencës, pasi sipas tyre, për të bërë falsifikim, duhet që të krijohet një dokument i rrejshëm, ose një dokument i vërtetë të korrigjohet dhe më pas të shfrytëzohet si i vërtetë.
“Akuza nuk mund të mbijetojë pasi sipas Prokuroria e ngarkon të akuzuarin me veprën falsifikim. Në situatën konkrete nuk është konstatuar se bëhet fjalë për dokument të rrejshëm ose për përdorim të dokumentit të rrejshëm. Nëse do të kishte qenë certifikata e licencës e rrejshme, nuk do të mund ta kalonte autobusi pikën kufitare”, tha avokati Asmir Alispahiq.
Ai, insistoi disa herë në teorinë se i akuzuari as ka bërë dokument të rrejshëm, apo s’ka përdorur ndonjë dokument të rrejshëm.
Sipas aktakuzës, 41-vjeçari Bekim Haxhiu, si pronar i “Besa Trans” nga fshati Rashçe, përmes shoferëve që drejtonin autobusin, ka përdorur certifikatë licence që nuk është lëshuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Me certifikatën e falsifikuar të licencës për qarkullim ndërkombëtar, autobusi është larguar 20 herë nga vendi vitin 2021 nga data 10 janar deri në aksidentin e nëntorit.
Drejtoria Doganore një ditë pas aksidentit informoi se pas kontrolleve të kryera, është vërtetuar se autobusi i “Besa trans” – Shkup i cili është djegur në autostradën në Bullgari, nuk ka qenë fare i evidentuar se ka dalë jashtë shtetit. Për këtë dy doganierë janë suspenduar nga puna për shkak veprimit të paligjshëm. Sipas njoftimit të Portalb.mk njëri doganier është përjashtuar nga puna, ndërkaq tjetri është gjobitur me 15 përqind të rrogës për gjashtë muaj.
Gjykimin e udhëheq gjyqtari Ivica Stefanovski, përfaqësues i Prokurorisë është prokurori publik Vlladimir Miloshevski.
Aksidenti në fjalë, ndodhi më 23 nëntor të vitit të kaluar në orët e para të mëngjesit, kur autobusi “Besa Trans”, i cili po kthehej nga Stambolli me turistë, u përplas në rrethojën e autostradës Struma, në afërsi të fshatit bullgar Bosnek. Në mesin e 45 të vdekurve ishin 12 fëmijë, ndërsa 7 mbijetuan.