Monday, September 16, 2024
HomeLajmePunonjësit e Postës së RMV-së në protestë: S’ka para për rroga, ndërsa...

Punonjësit e Postës së RMV-së në protestë: S’ka para për rroga, ndërsa për çdo punëtor ka të punësuar nga një shef

Punonjësit e Postës së Maqedonisë sot dolën në protestë dy orëshe për, siç thanë ata, gjendjen e rëndë financiare të shoqërisë aksionare. Punonjësit nuk e kanë marrë ende pagën e muajit shkurt, ndonëse afati ligjor është që ajo të paguhet deri në datën 15 të muajit. Ata thonë se kjo situatë vjen si pasojë e mbipunësimit në administratë dhe në pozita drejtuese, transmeton Portalb.mk.

“Me pagën minimale 80 përqind e të punësuarve nuk ia dalin mbanë, sidomos kur rroga vonohet. Por revolta është më e madhe për shkak të krizës financiare, në të cilën ndodhemi për shkak të keqmenaxhimit dhe punësimit joproduktiv. Ne e kemi sjellë veten në një gjendje të mungesës së punëtorëve në procesin teknologjik si postierë dhe sportele, ndërsa kemi mbipopullim në administratë dhe në pozita drejtuese. Kemi një shef për një të punësuar”, tha kryetari i sindikatës së Postës së Maqedonisë, Boro Veligdenov.

Posta e Maqedonisë ka 1800 punëtorë dhe 200 persona me kontratë pune të cilët janë postierë dhe punojnë me vite pa sigurim shëndetësor dhe me paga minimale.

Sindikata ka alarmuar disa herë Qeverinë për gjendjen në të cilën ndodhen, por ata thonë se nuk kanë dëgjuar për kërkesat e tyre.

Sindikata kërkon reformimin e Postës së Maqedonisë dhe nëse nuk plotësohen kërkesat do të fillojë procedura e grevës.

Kujtojmë se Posta e Maqedonisë së Veriut ka refuzuar vazhdimisht ta japë listën e të punësuarve të tyre të kërkuar nga redaksia e Portalb.mk, duke u nisur nga fakti që sipas studimit të fizbilitetit të Postës, ka pasur persona që nuk kanë shkuar në punë dhe kanë marrë rrogë. Ndërkaq, Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës thotë se Posta nuk obligohet me ligj t’i dorëzojë të dhënat për shkak se nuk është institucion publik por shoqëri aksionare.

RELATED ARTICLES

Lajmet e fundit

Recent Comments