Monday, September 16, 2024
HomeLajmeNë Shkup ishte Lavrovi, në Tiranë Zelensky!

Në Shkup ishte Lavrovi, në Tiranë Zelensky!

Në datat 28 dhe 29 shkurt, në Tiranë, do të zhvillohet Samiti për Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor, me pjesëmarrje të shumë delegacioneve me nivel të lartë përfaqësimi nga Evropa Juglindore, Ukraina dhe vendet e rajonit. Pra, për herë të parë presidenti Ukrainës po zbarkon në Tiranë, në kushte kur në Ukrainë vazhdon terrori rus. Shpesh herë thuhet që Ballkani është zona e nxehtë që ngjall interes për faktorin ndërkombëtarë. Por, nëse bëjmë një paralele krahasuese kuptojmë që për një kohë shumë të shkurtë përderisa e gjithë vëmendja e botës ndodhet në Ukrainë, Shkupin ka vizituar ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, përderisa sot Tiranën po e viziton presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Kjo në gjuhën diplomatike është notë pozitive për Shqipërinë që hap dyert për aleatet e SHBA-ve që në të njëjtën kohë janë edhe shtete mike e interesi për vendet e Ballkanit Perëndimor, shkruan Zhurnal.

Zelensky në Tiranë –

Tirana do të mirëpresë për herë të parë një Samit dedikuar tërësisht Ukrainës, vetëm disa ditë nga dy vjetori i nisjes së agresionit rus në Kiev.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka vizituar Shqipërinë për herë të parë. Lideri ukrainas do të jetë i pranishëm sot dhe nesër, ku do të marrin pjesë edhe disa nga zyrtarët më të lartë të Brukselit, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës Juglindore.

Ai është pritur nga kryeministri Edi Rama. Megjithatë, ngjarjet në Ukrainë dhe elementët e sigurisë do të përcaktojnë edhe agjendën e Volodymyr Zelenskyt në Tiranë, ku ajo që dihet me siguri është pjesëmarrja në samitin e 28 shkurtit. Edhe pse në agjendën paraprake ishte parashikuar një takim me presidentin Bajram Begaj dhe kryeparlamentaren Lindita Nikolla ato janë anuluar.

Zelenksy do të marrë pjesë në një forum që sot do të bëjë bashkë lider të BE-së dhe të Evropës Juglindore. Nga Bashkimi Evropian do të vijë Ursula Von der Leyen, ndërsa janë ende në pritje të konfirmimit nga Greqia, nëse do të përfaqësohet nga kryeministri, apo nga presidenti. Kosova do të përfaqësohet nga presidentja, Vjosa Osmani, ndërkaq Serbia ka njoftuar se do të jetë e pranishme përmes presidentit Aleksander Vuçiq. Liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të qëndrojnë edhe të enjten, në një Samit për integrimin.

Pak ditë më parë në një mesazh në platformën “X” kreu i shtetit të Ukrainës vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës dhe shprehu padurimin për një të ardhme më të sigurt për gjithë Evropën. Shqipëria ka vendosur disa sanksione ndaj Rusisë, ndërsa ka dënuar luftën e saj në Ukrainë.

Për zbatimin e masave të sigurisë janë angazhuar Forcat Kombëtare të Sigurisë, Forcat Speciale RENEA, Forca e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe Drejtoria e Policisë Rrugore, në koordinim dhe drejtim nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Njëkohësisht, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë në të gjithë vendin, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, me qëllim sundimin e ligjit në territor.

Policia e Shtetit shpreh besimin se qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve do të mirëkuptojnë masat e përkohshme kufizuese, do të ndjekin dhe do të zbatojnë udhëzimet e Policisë, pasi masat e marra janë në funksion të rendit, të sigurisë dhe të rritjes së imazhit të vendit tonë në arenën ndërkombëtare.

Lavrov ishte në Shkup –

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e akuzoi Bullgarinë për “budallallëk” për shkak se Sofia refuzoi që avioni me të cilin po udhëtonte kryediplomati rus, Sergei Lavrov, në destinacion Shkupin, të mos kalonte në hapësirën ajrore bullgare. Në orët e para të 30 nëntorit të vitit 2023, Lavrov arriti në Maqedoni të Veriut për të marrë pjesë në një samit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Si përfundim, avioni i Lavrovit u detyrua që të udhëtonte mbi Turqi dhe Greqi për të arritur në Maqedoni të Veriut. Zakharova, që është nën sanksione të BE-së, tha se prania e saj në bordin e avionit ishte arsyeja që Bullgaria refuzoi kalimin mbi hapësirën e saj.

“Ky budallallëk i rusofobisë arriti deri në pikën, që për herë të parë në historinë tonë, autoritetet të ndalojnë jo avionin, por personin që gjendet në të”, shkroi ajo në Telegram, duke sugjeruar se Rusia mund të vendosë ndalesa të ngjashme të fluturimeve “për mijëra funksionarë të NATO-s”, dhe tha se Bullgaria “krijoi një precedent të rrezikshëm”.

Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë konfirmoi lajmin se nuk ka lejuar avionin e Lavrovit të kalonte mbi japësirën bullgare. Kjo ministri tha se leja e dhënë vlente vetëm për anëtarët e delegacionit të Lavrovit, në mesin e të cilëve ka edhe persona të sanksionuar nga BE-ja. Por, kjo nuk i bëri asgjë përshtypje Maqedonisë së Veriut që ta mirëpres Lavrovin në Shkup.

Në mbrëmjen e 28 nëntorit të vitit 2023, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, morën pjesë në një darkë joformale në Shkup. Ata më pas u larguan nga Maqedonia e Veriut, duke shmangur kështu praninë e tyre në një ngjarje ku merr pjesë edhe Lavrovi. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, nuk bëri komente tjera rreth takimit të Këshillit të Ministrave të OSBE-së dhe pjesëmarrjes së ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, në të.

Por, komente mbi pjesëmarrjen e diplomatit rus bëri përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, gjithashtu pjesëmarrës në darkën joformale të Këshillit Ministror të OSBE-së. Borrell tha se “ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, duhet të dëgjojë nga pjesëmarrësit në Këshillin Ministror të OSBE-së në Shkup se pse Rusia është e izoluar dhe e sanksionuar dhe duhet t’ia përcjellë mesazhet Kremlinit”.

Pra, Maqedonia e Veriut bëhet “mikëpritese” e Lavrovit, përderisa Tirana organizon Samit për Ukrainën, duke mirëpritur presidentin e shtetit të cilin po i cenohet sovraniteti, Volodymyr Zelensky. /Zhurnal.mk

RELATED ARTICLES

Lajmet e fundit

Recent Comments