Koordinatori nacional për Komunikim dhe Media në Qeverinë e RMV-së, Latif Arifi ka reaguar pas akuzave të koalicionit opozitar Aleanca Kombëtare për Integrim lidhur me vizitën e ministres serbe të Punësimit, Veteranëve dhe Politikave Sociale, Milica Gjurgjeviç Stamenkovski, në Manastir dhe Kajmakçallan, përcjell Zëri.mk
Reagimi i plotë i Arifit:
“Vizita e Ministres serbe të Punësimit, Veteranëve dhe Politikave Sociale, Milica Gjurgjeviç Stamenkovski, me agjendë provokative në Manastir e Kajmakçallan, nuk është rastësi.
Ajo është pjesë e skenarit të vjetër të përgatitur për llogari të BDI-së në prag të zgjedhjeve lokale të tetorit. Pikërisht në regji të miqve të Bujar Osmanit dhe Ali Ahmetit, atyre që e pritën Aleksandar Vuçiqin në manastiret e Ohrit dhe që prej vitesh i kanë hapur derën ndikimit serb në Maqedoni.
Nuk është e rastësishme që edhe pse ende nuk ka nisur fushata zyrtare, BDI çdo ditë ushqen narrativën për “rrezikun e botës serbe”.
Por kush janë promotorët e vërtetë të këtij ndikimi? A nuk ishin vetë ata që përmes “Open Balkan” e sollën Serbinë si faktor dominues, ekonomikisht e politikisht në rajon?
Le të mos harrojmë se vetëm një vit më parë, gjatë zgjedhjeve parlamentare, Vuçiqi deklaronte haptazi se duhet të mbrohet BDI, sepse VLEN “do ta rrëzojë Ali Ahmetin dhe do ta sjellë Albin Kurtin në Maqedoni”.
A nuk ishte kjo ndërhyrje e pastër serbe në zgjedhjet tona?
Pse atëherë të mos e shohim edhe vizitën e Milicës si pjesë të të njëjtit skenar?
As Vuçiqi, as shokët e tij nuk do ta shpëtojnë këtë radhë BDI-në.
Pas 22 vitesh pushtet të pandërprerë, është koha që BDI të shkojë në opozitë edhe në komunat me shumicë shqiptare në Maqedoni, të pushojë, të reflektojë, të reformohet dhe ndoshta në vitin 2028, në terminin e rregullt të zgjedhjeve parlamentare, të rikthehet me njerëz të rinj, profesionistë dhe me një frymë demokratike të re.
Shqiptarët sot kërkojnë ndryshim, kërkojnë politikë të pastër, vizion europian dhe zhvillim real, e jo shpifje, etiketime primitive dhe provokime të orkestruara nga Beogradi.
Dhe për fund, për të gjithë njohësit e PR-it!
A nuk ju duket se videoprononcimi i kësaj ministreje, për ata që njohin gjuhën serbe ku gjoja akuzon BDI-në se angazhohet për “Shqipëri të Madhe” duke akuzuar edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, në të vërtetë ka vetëm një qëllim, që me gjuhë të ashpër ta sulmojë e ta akuzojë BDI-në, për t’ia ngritur pikët artificialisht?
Aman, mos ju lutemi! Vallë vërtet mendoni se shqiptarët në Maqedoni nuk dinë ti lexojnë mesazhet që doni të përcillni me s rreshtave?”, përfundon Arifi./Zëri.mk/

