Skender Rexhepi – Zejdi, deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dhe njëkohësisht kandidat i Besëlidhjes – Aleanca Kombëtare për Integrim për kryetar të Qytetit të Shkupit, është përballë një dileme të rëndësishme politike dhe morale: a duhet ai të japë dorëheqje nga mandati i deputetit për të vazhduar garën për kryeqytetin?
Ligji në fuqi nuk e detyron Rexhepi – Zejdin të lërë mandatin e deputetit. Megjithatë, një pjesë e opinionit publik vlerëson se dorëheqja do të ishte një shembull pozitiv për standarde më të larta të qeverisjes dhe do t’i jepte më shumë besueshmëri kandidaturës së tij për Shkupin.
Nga ana tjetër, përkrahësit e tij theksojnë se nuk ka asnjë arsye për dorëheqje, pasi ligji është i qartë dhe nuk ndalon një deputet të kandidojë për një post tjetër publik.
Derisa kjo dilemë mbetet e hapur, vetë Skender Rexhepi – Zejdi nuk ka dhënë ende një qëndrim konkret për këtë çështje, duke lënë hapësirë për diskutime dhe interpretime të ndryshme në opinionin politik e qytetar. (PressOnline.al)

