Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, mbrëmë ka marrë pjesë në promovimin e kandidatit të koalicionit VLEN për kryetar të Haraçinës, Daut Beqiri.
Gjatë hapjes së shtabit zgjedhor, Fetai u shpreh se Haraçina ka kaluar nëpër periudha të vështira, por ka ruajtur gjithmonë forcën dhe dinjitetin e saj.
“Haraçina ka kaluar predha, padrejtësi dhe diskriminim, por kurrë nuk është dorëzuar. Sot, bashkë me qytetarët e saj krenarë, hapëm shtabin zgjedhor dhe i dhamë mbështetje kandidatit tonë, Daut Beqirit. Haraçina nuk pranon më të mbetet e nëpërkëmbur dhe e harruar. Ka ardhur koha për zhvillim, për dinjitet dhe për ndryshim të vërtetë. VLEN Dauti, VLEN Haraçina!”, tha Fetai.
Fetai theksoi se koalicioni VLEN ka synim të sjellë ndryshim real dhe zhvillim për komunën e Haraçinës, duke e vendosur atë në qendër të vëmendjes politike e institucionale.


