Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ka njoftuar sot për emërimin e Latif Arifit si Koordinator Nacional për Komunikim dhe Media në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.
Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare, Fetai u shpreh se ky emërim shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e strategjive të komunikimit dhe në promovimin e një mjedisi mediatik transparent, efektiv dhe gjithëpërfshirës.
Postimi i plotë i Arben Fetait:
“Kënaqësi të prisja Koordinatorin tonë të sapoemëruar Nacional për Komunikim dhe Media, Latif Arifi, për t’i uruar detyrën e re në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ky emërim i rëndësishëm nënvizon angazhimin e qeverisë për të forcuar strategjitë e komunikimit dhe për të promovuar një mjedis mediatik transparent, efektiv dhe gjithëpërfshirës.
Me përvojën dhe përkushtimin e tij, Latifi apo Lata siç e njohin të gjithë, padyshim do të japë një kontribut të vyer në zbatimin e politikave që synojnë përmirësimin e komunikimit publik dhe promovimin e lirisë së medias. Ky rol është tejet i rëndësishëm në kontekstin e përpjekjeve të vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut për të adresuar sfidat në sektorin e medias, si dezinformimi, ruajtja e integritetit të medias dhe nevoja për mbrojtje më të fortë ligjore për gazetarët.”
Fetai thekson se ky rol është i një rëndësie të veçantë në përpjekjet e vendit për të garantuar një sektor mediatik të lirë, të pavarur dhe profesional.

